Ka vijuar gjatë gjithë ditës së sotme operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e trupit të 37 vjeçarit nga Laçi, i cili humbi jetën një ditë më parë, më 15 qershor, në Liqenin e Ulzës.
Në operacion janë angazhuar forca të shumta nga struktura të ndryshme shtetërore dhe vendore, përfshirë Forcat e Armatosura, Forcën Detare, RENEA-n, Policinë e Shtetit, Mbrojtjen Civile, si dhe dhjetëra vullnetarë nga zona dhe më gjerë.
Ekipet e polumbarëve kanë kryer zhytje të vazhdueshme në thellësitë e liqenit, ndërsa paralelisht janë zhvilluar kërkime intensive në sipërfaqen e ujit me mjete lundruese dhe dronë.
Në terren janë angazhuar mbi 120 efektivë dhe vullnetarë, të mbështetur nga disa mjete lundruese, autoambulancë dhe pajisje të specializuara kërkimi.
Pavarësisht përpjekjeve intensive të zhvilluara gjatë ditës, trupi i viktimës ende nuk është gjetur. Operacioni pritet të vijojë edhe në orët dhe ditët në vijim, ndërsa strukturat e angazhuara mbeten në gatishmëri të plotë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se do të informojnë opinionin publik për çdo zhvillim të ri lidhur me operacionin e kërkimit.


