Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mbajti një fjalim në ceremoninë zyrtare të mbylljes së procesit të vetingut, duke e cilësuar atë si një kapitull me ndërhyrje të guximshme dhe thelbësore në sistemin e drejtësisë.
Në fjalën e tij, Peleshi theksoi se reforma në drejtësi nuk ishte thjesht një proces institucional, por një akt i vërtetë vetëkorrigjimi, përmes të cilit shteti u përball drejtpërdrejt me mosbesimin e qytetarëve ndaj drejtësisë.
Kryeparlamentari nënvizoi se Shqipëria e sotme, pas përfundimit të këtij procesi,nuk është më e njëjtë nga ajo e vitit 2016, kur nisi reforma.
Megjithatë, Peleshi paralajmëroi se mbyllja e vetingut nuk nënkupton fundin e detyrimit institucional. Sipas tij, mbetet përgjegjësi e vazhdueshme që standardet e arritura në fushën e drejtësisë të mos vihen kurrë në diskutim.
“Sot përmbyllet një kapitull për ndërhyrjet e guximshme dhe të thella. Reforma në Drejtësi ishte një akt vetëkorrigjimi, ishte vendimi për t’u përballur me mosbesimin e qytetarëve te drejtësia.
Nuk mund të ketë të ardhme europiane pa sundim të kushtëzuar të ligjit. Shqipëria e vitit 2016, nuk është ajo e 2016. Besimi dhe pritshmëria e qytetarëve shqiptarë është i ndryshëm, kjo është prova më e qartë se ndryshimi ka ndodhur.
Sot është dita për të shprehur respektin ndaj të gjithë atyre që u angazhuan në këtë maratonë. Kjo është trashëgimia e vërtetë e çdo reforme. Në fund të këtij mandati, pyetja është a do të jemi të aftë të mbajmë ato që kemi arritur.
Vërtet po mbyllim një rrugëtim të rëndësishëm por nuk mbyllet detyrimi ynë për t’i mbrojtur dhe mos lejuar që standardet e fituara të vihen në diskutim. Nuk ka dhuratë më të çmuar për gjeneratat që do të vijnë se sa ndërtimi i institucioneve të forta”, tha Peleshi.
