Dy turistë ukrainas janë shpëtuar nga shërbimet e Njësisë Speciale Delta, pasi rrezikuan jetën në det për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike në zonën e Ksamilit.
Gjatë një patrullimi në mbështetje të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, efektivët konstatuan një mjet lundrues tip skaf, i marrë me qira nga turistët, që po fundosej si pasojë e erërave të forta dhe dallgëve të krijuara nga moti i keq.
Në bord ndodheshin dy shtetas ukrainas, të cilëve iu dha ndihma e menjëhershme nga forcat Delta. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të efektivëve, të dy turistët u nxorën në siguri dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
