Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve britanikë, duke u promovuar si “Maldivet e Evropës” falë plazheve të saj mahnitëse, ujërave të kristalta dhe kostove më të ulëta krahasuar me destinacionet tradicionale të Mesdheut, shkruan gazetarja Julie Delahaye për median britanike “Daily Express”.
Megjithatë, ekspertët e turizmit paralajmërojnë se, edhe pse vendi po përjeton një rritje të ndjeshme të interesit, pushuesit që planifikojnë të vizitojnë Shqipërinë në vitin 2026 duhet të kenë pritshmëri realiste për infrastrukturën dhe ofertën turistike, të cilat vijojnë të zhvillohen.
Shqipëria ndodhet rreth tre orë fluturim nga Britania e Madhe dhe është cilësuar si “Maldivet e Evropës” për shkak të plazheve me rërë të bardhë, natyrës së gjelbër dhe mbi 300 ditëve me diell gjatë vitit.
Në vitet e fundit, vendi është kthyer në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turistët. Fotot e plazheve, peizazheve bregdetare dhe perëndimeve të diellit të publikuara në rrjetet sociale kanë ndikuar në rritjen e interesit për Shqipërinë.
Një nga destinacionet më të njohura mbetet Ksamili, i njohur për ujërat e kristalta, gjiret me rërë dhe ishujt e vegjël pranë bregut. Si rezultat, një numër në rritje britanikësh po e konsiderojnë Shqipërinë si zgjedhje për pushimet verore dhe po kërkojnë informacion nga specialistët e udhëtimeve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se Shqipëria është ende në një fazë zhvillimi si destinacion turistik dhe vizitorët duhet të kenë pritshmëri të balancuara.
“Shqipëria duhej të ishte destinacioni i vitit për 2026 ose 2027, por mendoj se do të duhen edhe disa vite për të arritur potencialin e saj të plotë”, u shpreh Amanda Mollentze nga kompania “Triangle Travel”.
“Është një vend i mrekullueshëm. Një nga kolegët tanë e vizitoi me familjen dhe mbeti i impresionuar. Është një destinacion që po zhvillohet”, shtoi ajo.
Sipas Mollentze, Shqipëria mbetet ende relativisht e panjohur në tregun e pushimeve të organizuara dhe do të duhet kohë që turistët ta zgjedhin masivisht si destinacion.
Ajo vlerëson se vendi do të ndjekë rrugën e destinacioneve si Malta, Mali i Zi, Kazakistani dhe Uzbekistani, të cilat vitet e fundit kanë përjetuar rritje të ndjeshme të numrit të turistëve dhe investime në infrastrukturë.
Ekspertët nuk sugjerojnë shmangien e Shqipërisë; përkundrazi, ata nënvizojnë se vendi ofron shumë atraksione dhe tashmë ka krijuar një bazë të mirë për mikpritjen e vizitorëve.
Megjithatë, ata këshillojnë që pushuesit të jenë realistë për llojin e eksperiencës që do të gjejnë.
Për ata që preferojnë të zbulojnë vende më pak të njohura, Shqipëria ofron mundësi të shumta, nga ecjet në Alpet Shqiptare deri te vizitat në Gjirokastër, qyteti i mbrojtur nga UNESCO dhe i njohur si “Qyteti i Gurtë”.
Ndërkohë, Tirana ofron muze, dyqane, kafene dhe restorante për ata që kërkojnë një përvojë urbane larg turmave të mëdha.
Nga ana tjetër, turistët që presin resorte luksoze me paketa gjithëpërfshirëse, të ngjashme me ato të Portugalisë, Spanjës apo Greqisë, duhet të kenë parasysh se Shqipëria nuk e ofron ende këtë model në të njëjtën shkallë.
Edhe Richard Slater nga kompania “Henbury Travel” ndan të njëjtin vlerësim.
“Marrim shumë kërkesa për Shqipërinë, por mendoj se është ende herët për entuziazëm të tepruar. Njerëzit duan të ndihen të orientuar. Kemi parë interes të madh për Malin e Zi, Maltën dhe Madeirën, vende që deri para pak vitesh nuk konsideroheshin destinacione kryesore”, tha ai.
Udhëtimi drejt Shqipërisë është i lehtë, pasi kompanitë ajrore “Wizz Air”, “Ryanair” dhe “British Airways” ofrojnë fluturime direkte nga Britania e Madhe.
Megjithatë, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbetet porta kryesore hyrëse në vend, ndaj turistët duhet të planifikojnë me kujdes lëvizjet nëse dëshirojnë të eksplorojnë zona të ndryshme të Shqipërisë.
