Gjykata e Lezhës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për 40-vjeçarin Besnik Koldreu, i dyshuar për përfshirje në ngjarjen e rëndë kriminale ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci në Balldren.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura. Gjatë saj, Koldreu mohoi akuzat ndaj tij, duke pretenduar se jeton dhe punon në Mal të Zi dhe se nuk ka asnjë lidhje me automjetin e përdorur nga autorët e dyshuar të krimit. Ky automjet u gjet i fshehur pranë banesës së familjarëve të tij në zonën e Torovicës.
Pavarësisht pretendimeve të të dyshuarit, gjykata çmoi se provat e paraqitura nga Prokuroria janë të mjaftueshme në këtë fazë të hetimeve dhe vendosi të konfirmojë masën e sigurisë ndaj tij për veprën penale “përkrahje e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.
Koldreu u arrestua më 17 qershor në Ulqin nga autoritetet malazeze, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare si person i dyshuar për ndihmë ndaj autorëve të ngjarjes.
Ndërkohë, tre personat e dyshuar si autorë të ekzekutimit, Renato, Florin dhe Adriano Mhillaj, vijojnë të jenë në arrati.
Krimi ndodhi më 26 prill në aksin rrugor Balldren–Torovicë, ku çifti Mujeci u qëllua për vdekje teksa po udhëtonte me automjet. Sipas hetimeve paraprake, pista kryesore ku po përqendrohen hetimet lidhet me motive hakmarrjeje.
