Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka pezulluar aktivitetin e kompanisë së kateringut “SORI-AL”, e cila operonte në Akademinë e Sigurisë, pas rastit të helmimit të studentëve.
Sipas njoftimit zyrtar, AKU ka kryer menjëherë verifikime në subjektin “SORI-AL”, i cili ushtron veprimtari kateringu pranë Akademisë së Sigurisë në Sauk, si dhe në Garnizonin “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.
Gjatë kontrolleve në Akademinë e Sigurisë është konstatuar se subjekti ushtronte aktivitet në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të rregullt. Po ashtu, është kryer kampionimi i 14 mostrave, ku 7 kampione janë marrë nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës, nga ushqimet e ruajtura dhe të përpunuara pranë Garnizonit “Skënderbej” në Tiranë, të konsumuara më 24.06.2026 në Akademinë e Sigurisë në Sauk, për analizim mikrobiologjik pranë laboratorit të ISUV.
Në vijim të gjurmueshmërisë, është kryer inspektim edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej” në Tiranë, ku kryhet përpunimi i produkteve ushqimore. Edhe aty janë konstatuar kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues.
Gjatë procedurës janë marrë 14 mostra nga ushqimet e vakteve të drekës dhe darkës së datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për kontrollin e higjienës së ambienteve dhe pajisjeve, të cilat janë dërguar për analizim në ISUV.
AKU bën të ditur se në Garnizonin “Skënderbej” është marrë masë për ndërprerje të aktivitetit deri në daljen e rezultateve të analizave, ndërsa në inspektime kanë qenë të pranishme edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë, ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit Tiranë.
