Kompania e kateringut “SORI-AL” ka reaguar pas rastit të dytë të helmimit të 60 studentëve të Akademisë së Sigurisë, duke hedhur poshtë përgjegjësinë e ushqimit si shkak të situatës.
Në reagimin e saj, kompania shkruan se “nuk rezulton që shkaku i kësaj situate të jetë ushqimi i shërbyer nga Shoqëria “SORI-AL””.
Sipas saj, janë angazhuar ekspertë të fushës për të analizuar rrethanat e ngjarjes dhe për të administruar informacione dhe prova nga burime të ndryshme.
“Në vijim të deklaratës sonë të djeshme dhe duke vijuar të trajtojmë me seriozitet maksimal situatën e krijuar pranë Akademisë së Sigurisë, Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k. ka angazhuar ekspertë të fushës për të kryer një analizë të thelluar të të gjitha rrethanave të ngjarjes, duke administruar informacion dhe prova nga burime të ndryshme. Nga të dhënat e administruara deri në këtë moment, nuk rezulton që shkaku i kësaj situate të jetë ushqimi i shërbyer nga Shoqëria “SORI-AL”.”
Përkundrazi, informacionet e mbledhura nga burime të ndryshme, tregojnë se në ambientet e Akademisë së Sigurisë është evidentuar edhe prania e virozave sezonale, të cilat shoqërohen me temperaturë të lartë, këputje fizike dhe simptoma të tjera klinike. Këto rrethana përbëjnë elemente të rëndësishme që duhet të jenë pjesë e hetimit epidemiologjik dhe nuk mund të anashkalohen në analizën e kësaj situate. Përveç elementëve faktikë të evidentuar në deklaratën tonë të djeshme, lidhur me kushtet në të cilat konsumohet ushqimi dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në garantimin e sigurisë ushqimore, vlerësojmë se edhe situata epidemiologjike në ambientet e Akademisë duhet të analizohet me të njëjtin seriozitet dhe profesionalizëm nga institucionet kompetente”, shkruan kompania.
Ndër të tjera ata shtojnë se duhen analizuar të gjithë faktorët që mund të kenë ndikuar në krijimin e kësaj situate, përfshirë edhe gjendjen epidemiologjike dhe menaxhimin e virozave sezonale.
“Për këtë arsye, i bëjmë thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese dhe institucioneve përgjegjëse të zhvillojnë një hetim të plotë, të paanshëm dhe të mbështetur mbi prova shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pasi Shoqëria “SORI-AL” nuk mund të vazhdojë të jetë objekt i një presioni të vazhdueshëm institucional dhe i një gjykimi publik të parakohshëm, që e bën praktikisht të pamundur ushtrimin normal të aktivitetit të saj. Autoritetet Drejtuese të Akademisë së Sigurisë kanë detyrimin të sigurojnë një hetim të plotë dhe objektiv, duke analizuar të gjithë faktorët që mund të kenë ndikuar në krijimin e kësaj situate, përfshirë edhe gjendjen epidemiologjike dhe menaxhimin e virozave sezonale. Përqendrimi i vëmendjes ekskluzivisht tek shërbimi i ushqimit, pa përfunduar ende verifikimet zyrtare, nuk i shërben zbardhjes së plotë të së vërtetës.
Shoqëria “SORI-AL” dëshiron të theksojë se, nëse do të kishte një bashkëpunim të plotë, në kohë dhe transparent të informacionit ndërmjet Autoriteteve Drejtuese të Akademisë së Sigurisë dhe kompanisë, “SORI-AL” do të ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt në menaxhimin e çdo situate që lidhet me shëndetin e studentëve. Konkretisht, në rastet kur autoritetet shëndetësore evidentojnë prani të virozave sezonale apo situata të veçanta epidemiologjike, edhe regjimi ushqimor duhet të përshtatet me gjendjen shëndetësore të konsumatorëve, në përputhje me rekomandimet mjekësore, duke kontribuar në lehtësimin e simptomave dhe rikuperimin e tyre. Shoqëria “SORI-AL” do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet dhe të mbështesë çdo masë që shërben për mbrojtjen e shëndetit të studentëve, duke mbrojtur njëkohësisht me të gjitha mjetet ligjore reputacionin dhe integritetin e saj profesional”, thuhet në reagimin e tyre.
