29 qershor 2026- Ka nisur mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e cila po drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
Gazetarja e Klan News, Greta Bullari, raporton se takimi vjen në prag të seancës plenare të së martës dhe pritet të fokusohet në diskutimet dhe qëndrimet politike të mazhorancës për çështjet e rendit të ditës në Kuvend.
Rendi i ditës në seancën plenare;
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë një seancë plenare më 30 qershor 2026, në orën 10:00, sipas një urdhri zyrtar të bazuar në Rregulloren e Kuvendit dhe kalendarin e punimeve për periudhën 15 qershor – 3 korrik 2026.
Në rendin e ditës përfshihen një sërë projektligjesh dhe projektrezolutash që lidhen me institucionet kryesore të administratës publike dhe raportimet vjetore të tyre.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 18 qershor 2026, si dhe njoftimet procedurale të zakonshme.
Më pas, deputetët do të shqyrtojnë projektligjin “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare”, i cili synon forcimin e zbatimit të legjislacionit për ushqimin, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe mbrojtjen e bimëve dhe produkteve bujqësore në Shqipëri.
Në vijim të rendit të ditës, Kuvendi pritet të diskutojë dhe vlerësojë veprimtarinë vjetore të disa institucioneve të rëndësishme për vitin 2025, përfshirë:
-Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil
-Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
-Departamentin e Administratës Publike
-Autoritetin e Konkurrencës
-Komisionin e Prokurimit Publik
-Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
-Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit
-Agjencinë e Sigurimit të Depozitave
