Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, u bëri thirrje magjistratëve të rinj që ta ushtrojnë detyrën me integritet, guxim dhe përulësi, duke theksuar se vendimet e tyre do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në besimin ndaj sistemit të drejtësisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e diplomimit të Shkollës së Magjistraturës, Gonzato vlerësoi rolin e institucionit në përgatitjen e brezit të ri të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa nënvizoi se përmbushja e standardeve evropiane nuk varet vetëm nga miratimi i ligjeve, por edhe nga zbatimi i tyre në praktikë.
“Prania ime këtu tregon mbështetjen tonë për Shkollën e Magjistraturës dhe rëndësinë që ajo ka. Festime dhe ceremoni të tilla janë momente lumturie. Është fantastike që gjithçka përfundoi, por është edhe një moment që shënon një tranzicion në jetën tuaj.
Ju do të keni pozicione të nivelit të lartë, por mbi të gjitha do të ofroni një shërbim publik. Çdo vendim që ju do të merrni do të ndikojë në jetën e qytetarëve. Ai do të përcaktojë edhe besimin që ata do të kenë te sistemi i drejtësisë, i cili është themelor në kontratën sociale.
Kjo kërkon integritet, ndershmëri dhe guxim, por edhe përulësi. Duhet të pranoni se ndonjëherë ideja juaj e parë mund të mos jetë e duhura. Arritja e standardeve evropiane nuk bëhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe përmes punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ju do të jeni ata që do të siguroheni që ligji të zbatohet.
Institucionet, në vetvete, nuk krijohen vetëm nga ligjet dhe rregulloret. Ato kërkojnë edhe ndryshim kulture dhe mendësie. Unë ende nuk jam i bindur se ky ndryshim mendësie është arritur. Është në dorën tuaj. Jeni ju brezi i ri që duhet të përmbushni këto pritshmëri, duke siguruar që drejtësia të ofrohet në kohë dhe me cilësi. Ne, në Bashkimin Evropian, do të vazhdojmë të mbështesim Shkollën e Magjistraturës dhe të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Prania jonë këtu tregon qartë mbështetjen për shkollën e Magjistraturës. Ju filloni një fazë të re ku do të ofroni shërbimin tuaj. Ju do të keni edhe pozicione të nivelit të lartë por mbi të gjithë një shërbim publik, sepse vendimet tuaja do të përkufizojnë edhe drejtësinë. Përgjegjësia që ju keni është tejet e madhe dhe kjo kërkon shumë e më shumë se vigjilencë, kërkon integritet, guxim, kurajë, por edhe faktin të jeni të përulur, jo arrogantë.
Ndërkohë që Shqipëria ecën përpara në objektin e saj për në BE, roli i magjistratëve bëhet edhe më i rëndësishëm. Ju do jeni ata që do merrni masa që ligji të respektohet e zbatohet. Institucionet nuk krijohen vetëm nga ligjet, por kërkojnë edhe ndryshim kulture, unë nuk jam i bindur ende që është arritur ky ndryshim mendësie. Duhet të mishëroni kulturën e pavarësisë së drejtësisë jo vetëm me ligje, por edhe me sjellje profesionale dhe udhëheqje moral”, tha ndër të tjera Gonzato.
