Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka refuzuar në Kuvend kërkesën e opozitës për një mocion me debat. Gjatë fjalës së tij, Balla deklaroi se Partia Demokratike nuk ka legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët dhe theksoi se nga kjo lëvizje nuk mund të lindë një PD e re.
Ai i bëri të qartë protestuesve se mazhoranca nuk e pranon “partinë e Saliut” si ndërmjetëse për dialog. Pavarësisht refuzimit të këtij mocioni, Balla la të hapur mundësinë për të zhvilluar një debat të gjerë lidhur me rezolutën e Parlamentit Evropian në ditën e diskutimit të raportit përkatës.
“PD nuk e ka legjitimitetin për të përfaqësuar këtë protestë. Nga kjo protestë nuk mund të dalë një PD e re, por një e majtë radikale, kurse ne ndryshe nga ju kemi një PS të re, të rilindur. Të dashur protestues, me legjitimitet ne nuk e pranojmë partinë e Saliut si ndërmjetësuesen tuaj me ne.
E dyta, që ka të bëjë me mocionin me debat për komisionin e rezolutës, nuk e pranojmë. Jam shumë dakord që të kemi një mocion me debat pro rezolutës, ta bëjmë për ditën që kemi diskutimin e raportit të PE. Zgjerojmë kohën e debatit dhe hajde të flasim për rezolutën e PE. Është e pamundur për ne që të shkelim normën e parlamentit“, tha Balla.
