Qershori po mbyllet me temperatura mbi mesataren mujore, ndërsa meteorologët parashikojnë që moti i nxehtë të vijojë edhe gjatë muajve të ardhshëm.
Për shkak të temperaturave të larta, mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.
“Nëse kanë ankesa shtesë, si lodhje të përgjithshme, marramendje ose shtim të pulsit, takikardi, menjëherë duhet të drejtohen te mjeku, se janë ankesa që vështirësojnë diagnozën e tyre të mëparshme. Gjithmonë flasim për pacientë që vuajnë nga insuficienca kardiake apo e arterieve koronare, gjithashtu edhe ata që vuajnë nga hipertensioni kanë disa ndryshime në presion, ulje ose rritje të presionit arterial.
Të rrinë në mjedise të freskëta, por jo në korente, se kjo mund të vështirësojë diagnozën e tyre. Duhet të jenë korrektë me medikamentet dhe të bëjnë matje të shpeshta të presionit arterial, pulsit dhe sheqerit në gjak. Vëmendje të veçantë dietës ushqimore, duke marrë ushqime të pasura me magnez dhe kalium”, tha kardiologia.
Sipas mjekëve, temperaturat e larta mund të nxjerrin në pah edhe probleme shëndetësore të padiagnostikuara më parë, ndaj kontrollet periodike janë të rëndësishme edhe për personat që nuk kanë pasur simptoma.
“Ata që nuk janë ekzaminuar, se faktorët e riskut kardiovaskular janë të fshehur, tensioni nuk ka shenja, yndyrnat nuk kanë shenja…
Nëse janë persona të padiagnostikuar, një situatë e tillë me temperatura shumë të larta do të na nxjerrë në pah defektet që ka ky njeri, duke manifestuar me shtim pulsi, pse jo edhe dhimbje gjoksi. Djersitja e tepërt bën që të dalë uji në vaza dhe elementët e gjakut, duke u kombinuar me faktorë risku, do të na sjellë dhimbje gjoksi, rritje të presionit arterial, pse jo edhe infarkt miokardi”, shtoi ajo.
Kardiologët rekomandojnë kufizimin e lëvizjeve gjatë orëve me temperatura më të larta, konsumimin e sa më shumë lëngjeve dhe shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell.
Gjithashtu, ata këshillojnë të shmangen ndryshimet e menjëhershme të temperaturës, si futja në ujë menjëherë pas qëndrimit për një kohë të gjatë në diell.
Apeli për kujdes vlen për të gjithë qytetarët, por sipas mjekëve, më të rrezikuar nga i nxehti mbeten të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe fëmijët.
