Finalizohet në Durrës operacioni i koduar “The Hill 2”, i cili ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat e plazhit dhe në pjesë të ndryshme të qytetit.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, të identifikuar si D.R., 33 vjeç, dhe K.Xh., 27 vjeç, të dy banues në Durrës. Sipas policisë, ata dyshohet se vepronin në bashkëpunim për shitjen e kokainës dhe cannabis sativa.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, në DVP Durrës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Të arrestuarit u kapën në flagrancë në fshatin Rrashbull. Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesat e tyre, policia sekuestroi mbi 100 doza lëndësh narkotike, të ndara gati për shitje, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, si dhe 2 armë të ftohta (një shkop bejsbolli dhe një thikë) dhe 3 aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
