Pas daljes nga ambientet e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar për mediat se mazhoranca nuk do të tërhiqet nga vijimi i punës parlamentare pavarësisht protestave jashtë godinës.
Ai u shpreh se Partia Socialiste ka një “kontratë me popullin shqiptar”, të cilën, sipas tij, do ta zbatojë përmes miratimit të ligjeve që lidhen me procesin e integrimit europian.
“Për mua kjo është e disata herë. Ata kanë të drejtë të protestojnë, ne kemi të drejtë të votojmë. Është një kontratë që nuk lëviz dhe nuk e luan as topi, kontrata e PS me shqiptarët”, tha Balla.
Ai i cilësoi protestuesit si një “grup mbeturinash sociale dhe politike”, duke shtuar se Kuvendi nuk mund të ndalet nga presioni i rrugës dhe se çdo akt dhune ndaj institucioneve apo policisë do të përballet me ligjin.
Balla shprehu gjithashtu mbështetje për Policinë e Shtetit, duke theksuar se kushdo që ngre dorë ndaj saj, sipas tij, do të përballet me forcën e ligjit.
Duke komentuar edhe situatën e protestave të fundit, ai u shpreh se pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë më e madhe në raste kur nuk janë shënuar akte dhune, ndërsa paralajmëroi vijimin e dialogut me protestuesit që, sipas tij, kanë ngritur shqetësime sociale.
Në vijim, Balla sqaroi edhe një incident të raportuar më herët, duke mohuar konflikt mes deputetëve dhe duke e cilësuar ngjarjen si një sulm ndaj tyre, për të cilin kërkoi reagim të institucioneve ligjzbatuese.
