Qeveria shqiptare ka vendosur të dyfishojë fondin mbështetës për startup-et në kuadër të eventit “Grant 2026”, duke e çuar nga 3 në 6 milionë euro, për shkak të numrit të lartë të aplikimeve cilësore.
Gjatë aktivitetit të organizuar nga “Innovation4Albania”, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësuan zhvillimin e shpejtë të ekosistemit të startup-eve në vend, i cili sipas tyre renditet i katërti në rajon.
Rama prezantoi gjithashtu objektivin për rritjen e mëtejshme të financimit, duke synuar që deri në vitin 2030 fondi të arrijë në 20 milionë euro. Ai paralajmëroi edhe krijimin e fondeve të posaçme në bashkëpunim me sektorin privat, që pritet të nisin nga viti i ardhshëm.
“Patëm një numër aplikimesh shumë të lartë dhe nuk u ndjemë mirë, që me sa shumë e vënë në dispozicion 3 milionë euro nuk ia dilnim dot që të përgjigjeshim për të gjithë ata që meritonin mbështetje. Të ardhurat janë rritur përtej parashikimit, çka na ka bërë që të angazhojmë një fond ekstra, për t’iu përgjigjur aplikantëve. Kështu që nga 3 milionë ne e kaluam në 6 milionë euro.
Ne jemi këtu me një optimizëm, për faktin se në një vlerësim të kohëve të fundit sistemi ynë i startup-eve është klasifikuar i katërti, për rritjen e shpejtë. E morëm këtë rrugëtim në vitin 2022 me një shifër më modeste dhe mësuam bashkërisht se si ta çojmë përpara rritjen e këtij ekosistemi. Sot jemi në 6 milionë dhe synimi ynë është që deri në 2030-ën ta arrijmë deri në 20 milionë euro për mbështetjen e startup-eve. Ne duhet të jemi gati për të financuar deri në një volum prej 20 milionë eurosh.
Ministrja preku çështjen e krijimit të fondeve. Besojmë shumë që do të bëjmë të njëjtën gjë me startup-et tona që kalojnë në një fazë të dytë dhe kanë një mbështetje ekstra, dhe këtë ne mund ta bëjmë duke filluar me krijimin e fondeve të posaçme, që tashmë i kemi parashikuar në legjislacion. Mund të krijohen mes qeverisë dhe sipërmarrjeve të tjera. Do ta nisim këtë proces dhe mendoj që vitin e ardhshëm do të kemi në dispozicion këtë financim, për të zhvilluar projektin”, tha kreu i qeverisë.
