Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të marrin një vendim për dhënien e një licence e cila do t’i lejonte Ukrainës të prodhojë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot.
Kërkesa e tij erdhi menjëherë pas sulmeve të fundit ajrore të Rusisë, që shënjestruan gjatë natës kryeqytetin ukrainas, Kievi. Zelensky, i cili prej muajsh ka kërkuar miratimin e Uashingtonit për këtë çështje, argumentoi se forcimi i mbrojtjes ajrore mbetet prioriteti më i lartë i vendit.
“Është veçanërisht e rëndësishme që marrëveshjet tona me SHBA-në për prodhimin e raketave antibalistike të kalojnë në fazën e zbatimit. Ne mbështetemi shumë në vendimin e Shteteve të Bashkuara për licencat e Patriot dhe bashkëpunime të tjera. Kjo është ajo që mund të ndalojë luftën dhe sulme të ngjashme”, tha Zelensky.
Gjatë luftës me Rusinë, Ukraina është pajisur me sisteme Patriot, të cilat konsiderohen si të vetmet në arsenalin e saj të afta për të interceptuar raketat balistike ruse. Megjithatë, Kievi synon të fitojë kapacitete për prodhimin e tyre brenda vendit. Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohej se administrata e tij do të “shqyrtojë” mundësinë që Ukraina t`i prodhojë vetë raketat Patriot.
