Kryeministri Edi Rama foli sot në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane, ku u ndal te reformat në administratë, lufta kundër korrupsionit në shëndetësi dhe procesi i digjitalizimit të shërbimeve publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se qeveria po bën përpjekje për të kuptuar funksionimin real të administratës edhe përtej raporteve zyrtare, duke përmendur kontrollet në spitale dhe rastet kur shërbimi, sipas tij, ndikohet nga prania e zyrtarëve të lartë.
“Ne nuk mjaftohemi vetëm me çfarë shohim në raporte, por përpiqemi të kuptojmë si funksionon administrata edhe jashtë vëmendjes sonë, si funksionon një spital kur unë apo ministrja shkojmë atje,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit nuk është proces i lehtë dhe kërkon ndërtimin e një sistemi që vetë-mbron institucionet, duke theksuar se po ndodh një përpjekje e re për të goditur fenomenet problematike në administratë.
Sipas tij, sistemi aktual në Shqipëri po përballet për herë të parë seriozisht me korrupsionin, duke e cilësuar këtë si një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me të kaluarën.
“Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë që nga krijimi i shtetit shqiptar. Sistemi për herë të parë po lufton me korrupsionin,” deklaroi Kryeministri.
Duke folur për mënyrën e adresimit të këtyre problematikave, Rama theksoi se ndryshimet nuk mund të vijnë përmes zgjidhjeve të menjëhershme apo ndëshkimeve ekstreme, por përmes ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme.
Sipas tij, historia e vendeve të zhvilluara tregon se shtetndërtimi është një proces i gjatë, ndërsa Shqipëria po e ndjek këtë rrugë në kushte të tjera, duke përfituar nga epoka e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Kryeministri veçoi procesin e digjitalizimit si një nga arritjet kryesore të viteve të fundit, duke theksuar se shumë shërbime tashmë ofrohen online, duke eliminuar radhët dhe procedurat burokratike.
“Digjitalizimi na hoqi radhën për një copë letre. Të gjithë ata që janë jashtë vendit kanë në shërbim shtetin e tyre nga telefoni,” tha ai.
Rama shtoi se po vijon puna për thellimin e reformave në sektorë si kadastra dhe administrimi i shërbimeve publike, me synimin për t’i kthyer ato në sisteme funksionale dhe të qëndrueshme.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria po punon për zhvillimin e një programi të inteligjencës artificiale për prokurimet publike, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, i cili pritet të testohet në vitet në vijim.
“Mund të ndërrosh sa kryeministra të duash, por përmirësimet e qëndrueshme vijnë vetëm nga sistemi,” u shpreh Rama, duke theksuar rëndësinë e institucioneve mbi individët.
Në fund, Kryeministri nënvizoi se teknologjia dhe procesi i integrimit europian po luajnë një rol kyç në modernizimin e administratës shqiptare dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët.
