Një operacion i Policisë në kuadër të aksionit kombëtar “Territor i Pastër” ka çuar në zbulimin e një parcele me 1874 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në fshatin Vlahën, në Has, ndërsa në pranga kanë përfunduar babë e bir. Një tjetër anëtar i familjes është shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, autorë të dyshuar të kultivimit të lëndës narkotike janë 70-vjeçari Rr. U. dhe dy djemtë e tij. Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan Rr. U., 70 vjeç, dhe djali i tij B. U., 34 vjeç, ndërsa vijon puna për kapjen e djalit tjetër, A. U., 44 vjeç, i shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, efektivët sekuestruan edhe municion luftarak si dhe 5 metra fitil zjarrpërcjellës.
Në kuadër të hetimeve, Policia procedoi penalisht në gjendje të lirë edhe kryetarin e fshatit Vlahën, Rr. S., 58 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Qafë Prush, konstatuan parcelën me bimë narkotike gjatë kontrolleve të ushtruara në territorin e njësisë administrative Golaj. Të 1874 bimët e dyshuara Cannabis Sativa u asgjësuan në vend me anë të djegies.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Kukës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme hetimore.
