Samiti i NATO-s, që zhvillohet sot në Ankara, pritet të dominohet nga tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump vijon kritikat ndaj nivelit të kontributit të vendeve anëtare në sigurinë kolektive.
Sipas CNN, Trump ka shqyrtuar mundësinë e reduktimit deri në një të tretën të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, si reagim ndaj refuzimit të disa aleatëve për t’iu bashkuar operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit.
Në këtë kuadër, Pentagoni ka pezulluar disa dislokime ushtarake në Evropë dhe ka nisur një rishikim gjashtëmujor të pranisë së forcave amerikane në kontinent. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar se disa vende do ta kalojnë këtë proces rishikimi, ndërsa të tjera mund të përballen me reduktim të mbështetjes ushtarake.
Trump ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje rëndësinë e NATO-s për Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se Uashingtoni mban barrën kryesore të mbrojtjes së Evropës. Ai u ka bërë thirrje aleatëve të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen dhe ka deklaruar se pret “besnikëri” nga partnerët e NATO-s.
Pavarësisht retorikës së ashpër, liderët evropianë shpresojnë që samiti të përfundojë pa përplasje të mëdha. Ata pritet të paraqesin angazhime të reja për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe për forcimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, me synimin për të ruajtur unitetin e aleancës.
Një nga temat kryesore të samitit do të jetë edhe lufta në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky pritet të zhvillojë takime me liderët e NATO-s, përfshirë edhe një takim dypalësh me Donald Trump, gjatë të cilit do të kërkojë mbështetje shtesë ushtarake dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për Kievin.
Ndërkohë, një numër zyrtarësh evropianë kanë shprehur shqetësimin se një reduktim i pranisë ushtarake amerikane në kontinent mund të dobësojë aftësinë parandaluese të NATO-s dhe të inkurajojë Rusinë të rrisë presionin ndaj vendeve të krahut lindor të aleancës.
