Qytetarët dhe bizneset kanë kursyer rreth 104.3 milionë euro falë procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme dhe zbatimit të tatimit të reduktuar në masën 5%.
Të dhënat janë publikuar nga administrata tatimore, e cila bën të ditur se kursimet janë realizuar që nga nisja e procesit të rivlerësimit në muajin shkurt deri në fund të periudhës mars–qershor 2026.
Nga ky proces përfitojnë si individët që planifikojnë të shesin një pasuri të paluajtshme, ashtu edhe ata që kanë prona të regjistruara me një vlerë më të ulët se ajo e tregut.
Në të dyja rastet, tatimi mbi diferencën mes vlerës së mëparshme të regjistruar dhe vlerës së re të tregut ose të shitjes llogaritet me normën 5%, në vend të normës së zakonshme prej 15%.
“104.3 milionë euro kosto fiskale e kursyer nga tatimpaguesit gjatë periudhës mars–qershor 2026, falë rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Rivlerësimi u ka mundësuar individëve dhe bizneseve të përfitojnë nga tarifat e reduktuara të parashikuara në ligj, duke ulur ndjeshëm koston fiskale që do të paguanin në rast të transferimit të pronës”, thuhet në njoftimin e administratës tatimore.
Sipas Tatimeve, afati për kryerjen e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme përfundon më 31 dhjetor 2026.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se deri në mesin e muajit qershor, shuma e kursyer nga qytetarët dhe bizneset përmes tatimit të reduktuar prej 5% ishte 84 milionë euro, çka do të thotë se në javët në vijim kursimet janë rritur me mbi 20 milionë euro.
