Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, e ka cilësuar antikushtetues vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit ndaj klientit të tij.
Pas përfundimit të seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Ndreca deklaroi se mbrojtja ka ankimuar të gjitha vendimet që lidhen me pezullimin e afateve të paraburgimit dhe se çështja do të ndiqet deri në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.
“Kemi ankimuar të gjitha vendimet që ka marrë gjykata për pezullimin e afateve të paraburgimit. Sigurisht, është një procedurë krejtësisht antikushtetuese. Një ndër kërkesat tashmë e kemi në Gjykatën e Lartë. Besoj se Gjykata e Lartë duhet të vlerësojë, bazuar në Kushtetutë, pasojat e këtyre lloj vendimesh, që tashmë janë krijuar si precedent”, u shpreh Ndreca.
Ai shtoi se, sipas dijenisë së tij, edhe një gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Posaçëm e ka referuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
“Në dijeninë time është edhe një gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Posaçëm që e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese pikërisht këtë proces, këtë precedent, dhe ne do të vijojmë kërkesat tona deri kur në Gjykatën Kushtetuese të marrim atë që na takon, siç kemi bërë në vijim, dhe siç ka rezultuar që kemi pasur të drejtë sa herë kemi ngritur pretendime që kanë lidhje me respektimin e standardit kushtetues”, deklaroi ai.
