Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, duke konfirmuar ndarjen e mandateve në Kuvendin e ri.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike me 47.13% të votave, duke siguruar 53 mandate në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 19.44% të votave dhe 22 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 16.69% të votave, duke fituar 18 ulëse.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6.74% të votave dhe do të përfaqësohet me shtatë deputetë në legjislaturën e re.
Sa i përket vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë, Lista Serbe ka fituar nëntë mandate, ndërsa KDTP-ja turke dy mandate. Nga një ulëse kanë siguruar edhe VAKAT, IRDK, Nova Demokratska Stranka, Socialdemokratska Unija, Partia Ashkalinjve për Integrim (PSA), Jedinstvena Goranska Partija, Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia Rome e Bashkuar.
Ndërkohë, në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur ndryshime në listën e deputetëve. Kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, si dhe kandidati për deputet Daut Haradinaj, janë tërhequr nga marrja e mandatit parlamentar. Në vend të tyre, mandatet do t’i marrin Bekë Berisha dhe Burim Ramadani.
Me certifikimin e rezultateve nga KQZ, i hapet rruga konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës dhe vijimit të procedurave për formimin e institucioneve të reja.
