Pas ndërhyrjes në bregdetin e Shëngjinit, Bashkia Lezhë ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike edhe në plazhin e Tales, ku gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje nga tre subjekte private.
Sipas autoriteteve vendore, subjektet ushtronin aktivitet pa lejet përkatëse dhe kishin zënë në mënyrë të paligjshme hapësira publike në bregdet, pa kontratë dhe pa dokumentacion për shfrytëzimin e tyre.
Kryeinspektori i Policisë Bashkiake Lezhë, Leonard Palaj, bëri të ditur se ndaj subjekteve janë marrë masa administrative, përfshirë gjoba dhe sekuestrimin e çadrave dhe shezlongëve.
“Gjatë monitorimit të bregdetit të Tales, kemi konstatuar disa shkelje nga disa subjekte që s’kanë kontratë as me Lezha Invest dhe nuk janë të pajisur me asnjë dokument për shfrytëzimin e hapësirës publike. Nga ana jonë po merren masat e gjobave dhe sekuestrimi i çadrave e shezlongëve. Ky aksion do të jetë çdo ditë, deri në lirimin e të gjitha hapësirave që janë dedikuar për qytetarët dhe pushuesit”, u shpreh Palaj.
Bashkia Lezhë njoftoi se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror në të gjithë vijën bregdetare, nga Rana e Hedhun deri në Kune. Qëllimi i aksionit është garantimi i aksesit të lirë dhe të barabartë për qytetarët dhe pushuesit në plazhet publike, si dhe respektimi i rregullave nga subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik.
