Ish-deputetja e PS-së, Marjana Koçeku këtë të enjte në një intervistë ekskluzive me emisionin “Now” ka folur lidhur me vendimin e saj për tu larguar nga grupi i Partisë Socialiste. Ajo gjatë fjalës së saj ka zbuluar detaje pas vendimmarrjes së saj.
E pyetur se me kë u konsultua përpara se të ndërmerrte këtë hap, ajo shprehet se nuk ka biseduar me askënd, as me miq, familjarë apo kolegë. Sipas saj, ajo është konsultuar vetëm me ndërgjegjen dhe parimet e saj.
Pasi vendimi u bë publik, ajo tregon se ka marrë shumë telefonata, mesazhe, madje politikanë nga Partia Socialiste kanë dërguar edhe njerëz në shtëpinë e saj për t’u interesuar pranë familjes se çfarë po ndodhte.
“Unë jam konsultuar vetëm me ndërgjegjen edhe me parimet në të cilat unë besoj. Ato ma kanë treguar rrugën gjithmonë dhe më kanë ndihmuar që të mos dal as prej vetes dhe prej vërtetës.
Vetëm me veten. Mbasi kam marrë vendimin kam marrë shumë mesazhe, shumë telefonata, edhe më kanë çu dhe njerëz te shtëpia për me u interesuar dhe për me ditë, me ditë më tepër prej familjes time se çfarë po ndodh dhe pse e kam marrë këtë vendim, nga politikanët e Partisë Socialiste.
Dhe unë nuk kam dhënë asnjë komunikim privat sepse ishte tepër vonë. Unë i kam kërkuar me ju kontaktu, u kam kërkuar vazhdimisht për zonën, për komunitetin tim. Nuk kam marrë përgjigje. Qëndrimet kanë qenë indiferente dhe ai moment pas largimit tim ishte shumë vonë për me folë.“
