Tirana është në fazën e fundit të përgatitjeve për koncertin e reperit amerikan Kanye West, i cili do të mbahet nesër dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të dekadës.
Në “Eagle Stadium”, arena e ndërtuar posaçërisht për këtë event në aksin Tiranë–Durrës, kanë përfunduar pothuajse të gjitha punimet. Stadiumi ka një kapacitet prej 60 mijë spektatorësh, ndërsa në qendër të tij është vendosur një skenë me një glob gjigant, element që lidhet me simbolikën e përdorur nga Kanye West në turet e tij më të njohura ndërkombëtare.
Për të lehtësuar lëvizjen e pjesëmarrësve, organizatorët kanë vendosur një linjë të dedikuar transporti dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin përdorimin e automjeteve private, duke preferuar transportin publik ose linjën speciale drejt stadiumit.
Për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit, qeveria ka akorduar një fond prej 4 milionë eurosh përmes një akti normativ, i cili është dorëzuar në Kuvend dhe pritet të miratohet gjatë muajit korrik. Opozita ka kundërshtuar këtë financim, duke argumentuar se shuma përbën gati gjysmën e fondit rezervë të emergjencave dhe e ka cilësuar si një përdorim të papërshtatshëm të aktit normativ.
Sipas qeverisë, eventi pritet të gjenerojë mes 100 dhe 120 milionë euro për ekonominë shqiptare. “Eagle Stadium” është ndërtuar në një sipërfaqe prej 65 mijë metrash katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës, ndërsa mbi 3.500 punonjës janë angazhuar në ndërtimin dhe përgatitjen e arenës. Koncerti është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026, i cili nis në Shtetet e Bashkuara dhe vijon më pas në Azi dhe Europë.
Rrugët që do të bllokohen
Sipas planit të qarkullimit, nga dita e nesërme do të zbatohen këto kufizime:
- Nga ora 07:00 deri në 24:00, ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës Durrës–Tiranë, nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet.
- Nga ora 07:00 deri në 24:00, ndalohet qarkullimi në korsinë e daljes së autostradës Durrës–Tiranë, në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.
- Nga ora 12:00 deri në 24:00, ndalohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.
- Nga ora 12:00 deri në 24:00, ndalohet qarkullimi në segmentin rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
- Gjithashtu, nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve.
Linjat e transportit publik
Përveç linjës së dedikuar për koncertin, qytetarët mund të përdorin edhe këto linja të transportit publik:
- L.4 – City Park – Qendër
- L.13 – Tirana e Re
- L.3 – Kashar
- L.58 – Institut – Qendër
