Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende në shqyrtim kërkesat e paraqitura nga Partia “Shqipëria Bëhet” dhe Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” për shfuqizimin e Aktit Normativ që parashikon financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, në Gjykatën Kushtetuese janë depozituar dy kërkesa për shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3, datë 6 korrik 2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, si dhe për pezullimin e zbatimit të tij.
Gjatë verifikimit paraprak, Gjykata konstatoi se të dyja kërkesat nuk ishin të plota dhe nuk shoqëroheshin me dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Sipas Gjykatës, Partia “Shqipëria Bëhet” nuk kishte paraqitur aktin e themelimit dhe statutin e saj, ndërsa Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” nuk kishte dorëzuar dokumentet që vërtetojnë statusin juridik, si edhe aktin e përfaqësimit për avokatët e deklaruar në kërkesë.
Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese i ka regjistruar të dyja kërkesat si të paplota dhe ua ka kthyer kërkuesve për plotësimin e dokumentacionit, duke u lënë në dispozicion afatin ligjor prej 10 ditësh për korrigjimin e mangësive.
Padia lidhet me vendimin e qeverisë për financimin e pjesshëm të koncertit të artistit Kanye West në Tiranë.
