Nga Mero Baze
Kam pasur shumë reagime në inbox, email dhe telefon pasi kemi publikuar emrat e organizatorëve të fushatës kundër turizmit në Shqipëri. Që të mos u lë vend spekulantëve që e paraqesin si liri mendimi, nuk bëhet fjalë për ndonjë klient që shkon në një restorant, në ndonjë hotel apo diku tjetër dhe shpreh vlerësimin për shërbimin. Bëhet fjalë për disa veprimtarë të revolucionit, që kanë shpërndarë lista biznesesh që duhen masakruar dhe pas kësaj, brenda 12 orësh, mijëra review false, pa shkuar në asnjë biznes, kanë rrëzuar vlerësimet në Google nga 5 në 1, çka është terrorizëm mbi biznesin e turizmit.
E përsëris që nuk bëhet fjalë për ata që provojnë shërbimet e japin vlerësimet, por për ata që dëgjojnë Arlind Qorrin, Andi Bushatin, Agron Shehajn, Gjergj Erebarën, Andi Tepelenën, Arben Kolën e plot nxitës urrejtjesh ndaj biznesit, që mendojnë se po i shërbejnë Shqipërisë duke shkatërruar turizmin.
Në listën e WhatsApp-it të krijuar nga Fatos Lubonja për revolucionin, një vajzë bën thirrje të hapur për të sulmuar bizneset dhe shpërndan listën e tyre. Dhe qindra intelektualë aty nuk reagojnë asnjë. As këta deputetët e PD që janë pjesë e asaj liste dhe që gjoja janë të djathtë. Pra e dinë shumë mirë përse bëhet fjalë. E kanë shpërndarë vetë në listën e tyre. Bëhet fjalë për udhëzime për pushkatim kolektiv, jo për vlerësime individuale.

Kjo, përveçse terrorizëm i dënueshëm nga ligjet shqiptare dhe akoma më rëndë nga ligjet perëndimore, është një dimension i frikshëm i lirisë politike në vend, pasi ata janë me parimin që ata që nuk janë me ty duhen pushkatuar.
Ne e kemi pasur një sistem të tillë, por dhe ai kishte nxjerrë rregulla për pushkatime dhe internime. Nuk ishte në dorë të gjithkujt. Ishte në dorë të Enver Hoxhës të zgjidhte armikun, Manush Myftiut të të internonte, Hysni Kapos apo Mehmet Shehut të të pushkatonte. Tani këta enveristë e rinj të Shqipërisë ia kanë deleguar këtë kompetencë çdo idioti që mendon se ka në dorë fatet e shqiptarëve.
Në 100 për 100 të reagimeve që kam janë njerëz që kërkojnë ndjesë dhe kërkojnë t’ua heq emrin e ekspozuar, pasi janë gati të tërheqin review-t e shkruara me urdhër të komandës së revolucionit. Disa prej tyre i mirëkuptoj se dhe mund t’i ketë kapur vala e entuziazmit të revolucionit. Disa më rezultojnë që ishin të njohur dhe disa akoma më keq, njerëz që u kisha bërë dhe nder. Kjo është Shqipëria, por më vjen mirë që individualisht sillen si njerëz, kurse kolektivisht si banditë. Kjo është pasojë e frymëzuesve të tyre.
Tani kjo është çështje penale dhe do ta zgjidhë drejtësia, përkundër dëshirës së komandës së revolucionit që duhet ta zgjidhë rruga. Zgjidhja nga rruga ka pasoja të rënda, pasi nëse 100 kamikazë nga këta të revolucionit kanë bërë 1000 review dhe nuk dinë ku i kanë bërë, ata që janë të prekur i kanë gjurmët e vlerësimeve të tyre, nuk i harrojnë aq lehtë. Dhe në këtë rast, në vend që kriminelët të gjejnë strehë te drejtësia, të shpëtojnë me ndonjë dënim të lehtë, zgjedhin rrugën më të vështirë, atë të rrugës.
Ta bësh këtë gjë në kulmin e sezonit turistik, për llogari të Greqisë apo ku di unë të Turqisë, ka kuptim se merr dhe ndonjë lek siç bëjnë këta kosovarët cdo fillim sezoni dhe me këtë rast nxjerrin dhe inatin me Shqipërinë. Po ta bësh këtë se të urdhërojnë disa njerëz që nesër duan të qeverisin Shqipërinë, do të thotë të mbjellësh në këtë vend farën e luftës civile dhe të mos lejosh më të zhvillohet asnjë biznes, pasi nëse palët politike angazhohen që përmes kamikazëve të tyre të shkatërrojnë bizneset e qytetarëve që nuk janë votues të tyre, atëherë këtu çdo gjë do bëhet hi.
Këta që flasin e nuk lënë gjë pa thënë për ata që i quajnë “patronazhistë” dhe që nënkuptojnë votues socialistë, po patronazhojnë ekonominë shqiptare për ta rrënuar, duke bërë njëkohësisht jo vetëm krim politik, por dhe ekonomik. Dhe janë këta që kërkojnë të qeverisin Shqipërinë me zor, duke i vënë flakën vendit dhe që duan të vijnë në pushtet me arkivole në krah.
T’i turrësh bizneseve me arsyetimin se do t’i shkatërrosh pse nuk je me revolucionin, ndërkohë që shumica e tyre nuk e njohin fare Edi Ramën, do të thotë të ndërtosh një Shqipëri të re ku duhet të njohësh Arlind Qorrin, Gon Shehun dhe bandën e këtyre gjobëvënësve të rinj, ndryshe duhet të ikësh nga ky vend.
Dmth Shqipëria e re që këta kërkojnë në bulevard, është njëqind herë më e keqe se Shqipëria e Sali Berishës, Fatos Nanos e Edi Ramës, pasi këta duan një Shqipëri që ti duhet të adhurosh këta terroristët, një Shqipëri pa liri politike, pa mendim ndryshe dhe mbi të gjitha pa biznese që nuk janë dakord me këta.
Mos u trembni nga hetimet dhe paditë që u janë bërë, pasi ato deri në gjashtë vite burg e kanë maksimumin për sulme të orientuara për dëmtim biznesi. Ruajuni nga reagimet personale të biznesmenëve ndaj secilit prej atyre që është përdorur në këtë histori, përfshi dhe organizatorët, që në shumicë vetë duan të jetojnë si milionerë, kurse njerëzve duan t’u imponojnë terrorizmin e tyre.
Ruajuni nga ata që nuk ju çojnë në gjykatë, që nuk merren me ju publikisht, pasi ata mund t’i keni nga pas dhe nuk e dini.
Falënderojini ata që ju çojnë në gjykatë, pasi përveçse ju çlirojnë nga kompleksi i fajit, ju shpëtojnë dhe jetën dhe ju bëjnë shembull pozitiv për shoqërinë. Të punësuarit si atentatorë ka qenë zanat i komunistëve për 4 deri 5 vetë si vrasës me pagesë. Një ushtri kaq e madhe e inkriminuar për qëllime politike, është një dhunim i shoqërisë shqiptare dhe mbjellja e një lufte që mund t’i vijë secilit te dera e shtëpisë.
Është e lehtë të thuash që kush është me Edi Ramën do ta paguajë, por është akoma më e lehtë të thuash që kush është me Arlind Qorrin apo Gon Shehun do ta paguajë, se ata janë dhe shumë pak. Ndaleni këtë masakër sa nuk është vonë për ata që e organizojnë, pasi nuk është sherr në Facebook për një dashnore adoleshentësh. Është terrorizëm që fut Shqipërinë në një spirale nga e cila do digjen të parët ata që po e ndjellin.
Shumë prej review-ve të tyre po anullohen prej Google pas reklamimeve dhe normaliteti do të vendoset brenda dy ditëve, por emrat e tyre nuk do harrohen kurrë nga ata që u ndjenë të sulmuar pa shkak prej tyre.
A mund të më thotë dikush çfarë lidhje ka Altini i Mrizit të Zanave me Edi Ramën, që duhet të sulmoni agroturizmin më të mirë të Shqipërisë? Çfarë lidhje ka Arbana Osmani me Edi Ramën që duhet t’ia sulmoni biznesin? Çfarë lidhje ka Kulla Hupi në Bulqizë, një ish-emigrant i kthyer në Shqipëri, që dënohet tani në emër të këtyre kamikazëve të bulevardit që thonë po vijmë nga diaspora? Ja ku e keni të kthyer nga diaspora që ka ndërtuar shtëpinë e babait të tij dhe po e sulmoni si qenë të tërbuar.
Dhe boll me këtë stilin që bëni ironi sikur po hetohen vlerësimet e review-ve. Po hetohen vrasës biznesi. Dhe nëse i fal drejtësia, secili i prekur prej tyre do t’i trajtojë përsëri si vrasës. Ndaj uroni të veprojë shpejt drejtësia dhe të jeni të sigurt për të ardhmen. Jo për Shqipërinë e re. Kjo është Shqipëria e vitit 1945, por dhe pa rregulla. E kemi parë një herë këtë Shqipëri. Nuk ka marrë malli askënd nga ata që e kanë pësuar prej saj. Përveç atyre që ishin në krye të saj.
