Ish-i dashuri i Aurora Tilës ka pranuar se ishte ai që shkaktoi vdekjen e 13-vjeçares shqiptare, duke e hedhur nga ballkoni i një pallati në Piacenza më 25 tetor 2024.
Gjatë procesit në Gjykatën e Apelit, i riu, i cili në shkallën e parë ishte dënuar me 17 vite burg nga Gjykata për të Mitur, ndryshoi versionin e tij të mëparshëm, pranoi përgjegjësinë për ngjarjen dhe kërkoi falje për veprimin, si edhe për faktin se kishte pritur kaq gjatë për ta bërë këtë.
“Me rrëfimin e tij mbyllet një rreth. Megjithatë, shpresojmë që gjykata të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, e cila caktoi një dënim të përshtatshëm”, deklaroi avokati Emilio Malaspina, përfaqësues i nënës së viktimës.
Procesi është shtyrë për më 10 shtator, datë kur pritet vendimi i Gjykatës së Apelit. Avokati i familjes së Aurorës tha se rrëfimi ka ardhur shumë vonë dhe nuk duhet të ndikojë në uljen e dënimit.
“Besojmë se kjo zgjedhje është bërë pikërisht për të kërkuar një reduktim të dënimit prej 17 vitesh të vendosur në shkallën e parë. Ne do të presim me qetësi vendimin e gjykatës”, u shpreh ai.
Aurora Tila humbi jetën në tetor të vitit 2024, pasi ra nga kati i shtatë i pallatit ku banonte në Piacenza. Në momentin e ngjarjes, me të ndodhej ish-i dashuri i saj 15-vjeçar, i cili fillimisht mohoi çdo përfshirje dhe pretendoi se bëhej fjalë për vetëvrasje.
Megjithatë, hetimet zbuluan një tjetër version. Sipas akuzës, mes të dyve kishte pasur një lidhje disa mujore që kishte përfunduar, ndërsa i riu ishte bërë gjithnjë e më kontrollues dhe përndjekës ndaj vajzës.
Aurora u kishte treguar shoqeve për presionet dhe ndjekjen që përjetonte. Madje, ajo kishte kërkuar ndihmë edhe nga inteligjenca artificiale për të kuptuar dallimin mes një marrëdhënieje të shëndetshme dhe një lidhjeje toksike.
Një dëshmitar deklaroi se e kishte parë 13-vjeçaren të mbahej pas parmakut të ballkonit, ndërsa ish-i dashuri e godiste në duar, duke bërë që ajo të binte në boshllëk.
Ngjarja tronditi opinionin publik në Itali, ku qindra persona, kryesisht të rinj, dolën në protesta kundër dhunës ndaj grave.
Në shkallën e parë, i riu u shpall fajtor për vrasje të rënduar, ndërsa gjykata i njohu edhe rrethanën rënduese të përndjekjes. Prokuroria kishte kërkuar 20 vite e 8 muaj burg, por ai u dënua me 17 vite pas gjykimit me procedurë të shkurtuar.
Sipas gjyqtarëve, kërkimet dhe bisedat e Aurorës me ChatGPT u konsideruan një element që pasqyronte gjendjen e presionit dhe përndjekjes që ajo kishte përjetuar përpara vdekjes.
Mbrojtja ka apeluar vendimin, ndërsa Gjykata e Apelit pritet të japë vendimin përfundimtar më 10 shtator.
