Tre zyrtare të filialit të Postës Shqiptare në Durrës kanë rënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit të koduar “Filiali”, pasi dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj të destinuara për pensione dhe ndihma sociale.
Të arrestuarat janë drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, shefja e financës, Valbona Doni, dhe arkëtarja Paola Dana.
Sipas hetimeve, gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre zyrtaret dyshohet se kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës për degët e Shijakut dhe Krujës, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Arrestimi i tyre u krye në kuadër të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë të dyshuar abuzimi me fondet publike.
