Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit për të gjashtën natë radhazi, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se operacionet kishin si objektiv dobësimin e kapaciteteve ushtarake iraniane dhe u zhvilluan në zonën strategjike të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas ushtrisë amerikane, avionë luftarakë, dronë dhe mjete detare goditën pozicione të mbrojtjes ajrore, sisteme të mbikëqyrjes bregdetare, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe objektiva detare. Po ashtu, marinsat amerikanë hipën në një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, ndërsa tre anije tregtare u detyruan të ndryshonin kurs pasi tentuan të kalonin bllokadën amerikane.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane akuzojnë SHBA-në se ka goditur edhe infrastrukturë civile, përfshirë ura, një stacion hekurudhor dhe një aeroport. BBC ka konfirmuar dëmtimin e një ure pranë qytetit Bandar Abbas, ndërsa Uashingtoni nuk ka komentuar këto pretendime.
Irani reagoi duke deklaruar se ka goditur objektiva ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, në shenjë hakmarrjeje për sulmet ndaj aeroportit të Iranshahr-it dhe infrastrukturës në qytetet portuale iraniane. Sipas agjencisë shtetërore IRNA, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën nga sulmet.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të ushtrojë presion mbi Teheranin që të rikthehet në negociata, duke paralajmëruar se në të kundërt do të ketë sulme të tjera. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se administrata amerikane mbetet e hapur për dialog, por nuk do të tolerojë sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Situata ka ngritur shqetësime edhe për tregjet globale të energjisë. Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë, mbetet e bllokuar, ndërsa drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi se nëse kriza vazhdon, mund të ketë pasoja serioze për furnizimin global me energji.
Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit po intensifikohen, ndërsa përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve mbeten ende të pasigurta.