Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, nisma kombëtare e qeverisë për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, ku komentoi edhe zhvillimet ekonomike në vend, veçanërisht forcimin e lekut dhe rënien e euros.
Sipas Ramës, forcimi i monedhës kombëtare është një tregues i qartë i rritjes së ekonomisë shqiptare dhe jo rezultat i qarkullimit të parave të pista, siç pretendohet nga kritikët.
“Forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare. Është tregues kokëfortë i rritjes së ekonomisë. Në një vend ku hyjnë çdo vit miliarda e miliarda euro, të flasësh për narko dhe gomarllëqe të tilla mund të përkëdhelësh ata që kanë nevojë për lajme të këqija, por është pa lidhje”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se, nëse pretendimet për ndikimin e parave të pista në kursin e këmbimit do të ishin të vërteta, alarmi do të ishte ngritur nga institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë financiarë.
“A ka ekonomi informale në Shqipëri? Sigurisht që ka. Edhe para të pista ka, por ku nuk ka? Është shumë e ligë t’ia veshësh Shqipërisë këtë lloj kostumi kaq të ndyrë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te zhvillimi i turizmit, duke theksuar se të ardhurat nga vizitorët e huaj kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.
“Në qershor patëm një rritje prej vetëm 1 për qind, por e vërteta është se 5.7 miliardë euro hyjnë në vend nga turistët e huaj. Sot sheh më shumë turistë në rrugët e Tiranës dhe kemi aeroportin më të madh në rajon, mbi Beogradin prej disa vitesh, pa subvencione. Si të mos forcohet leku pas gjithë këtyre treguesve?”, deklaroi ai.
Rama foli edhe për luftën kundër pastrimit të parave, duke theksuar se goditja e rrjeteve kriminale është dëshmi e funksionimit të institucioneve.
“Fakti që kapen njerëz të përfshirë në rrjete që kanë mundësuar qarkullimin e parave të pista është një lajm i madh dhe tregues se ato po goditen nga të gjitha anët”, u shpreh kryeministri.
