Iso-polifonia shqiptare ka gjetur vend në një prej produksioneve më të mëdha kinematografike të vitit. Kompozitori i njohur Ludwig Göransson ka përzgjedhur tingujt e kësaj pasurie kulturore për kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan.
Regjistrimet u zhvilluan në Vlorë dhe u interpretuan nga mjeshtri i fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj. Për afro pesë orë, në ambientet e Teqesë së Kuzum Babait, u realizuan incizimet në praninë e vetë Göransson, i cili ndoqi nga afër procesin krijues.
Kapaj tregon se ekipi i produksionit hollivudian mbeti i impresionuar nga veçantia e iso-polifonisë shqiptare dhe instrumenteve tradicionale. Ai e përshkruan këtë bashkëpunim si një përvojë të rrallë, duke theksuar se ishte privilegj të kontribuonte në një projekt që vlerëson dhe promovon trashëgiminë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Përfshirja e iso-polifonisë në kolonën zanore të filmit përbën një moment të rëndësishëm për promovimin e kulturës shqiptare, duke e çuar atë në ekranet e kinemave në mbarë botën përmes një produksioni me jehonë globale.
“The Odyssey”, përshtatja filmike e poemës epike të Homerit nga Christopher Nolan, tashmë ka nisur shfaqjen në kinematë botërore. Filmi, me një kast aktorësh të njohur të Hollywood-it, është konsideruar një nga produksionet më të rëndësishme të vitit dhe ka marrë vlerësime maksimale nga kritika ndërkombëtare.
Në rrëfimin e tij, Vendim Kapaj zbulon edhe mënyrën se si u kontaktua nga ekipi realizues, si dhe ndan emocionet e regjistrimeve që sollën tingujt e traditës shqiptare në një superproduksion hollivudian.
