Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku është thirrur në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”.
Përveç Topit, në seancën e sotme janë thirrur për të dëshmuar edhe Fatmir Mediu, Urim Muja, Isa Tare dhe Paro Laçi.
Në këtë proces gjyqësor, ish-kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv. Sipas akuzës, ai dyshohet se ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, duke i përshtatur ato sipas interesave të pesë familjeve pronare të truallit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku përfitues, sipas SPAK, ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën, si dhe për pastrim parash. Sipas organit të akuzës, përmes ndikimit të ushtruar në procesin e privatizimit të kompleksit “Partizani”, familja e tij ka përfituar miliona euro.
