Një 61-vjeçar është gjetur i pajetë paraditen e kësaj të mërkure në afërsi të Ishujve të Ksamilit. Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, peshkatar.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë. Policia ka gjetur edhe mjetin e tij lundrues, i cili ishte fundosur. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në kohën kur zona u përfshi nga stuhia dhe moti i keq.
Hetimet po zhvillohen në dy pista: atë të një mbytjeje aksidentale të shkaktuar nga kushtet e rënduara atmosferike, por edhe mundësinë e një vetëvrasjeje. Burime bëjnë me dije se 61-vjeçari ishte i divorcuar, ndërsa fëmijët e tij jetojnë në Greqi.
Në njoftimin paraprak, Policia bën të ditur se rreth orës 11:00 trupi i pajetë i shtetasit M. Z., 61 vjeç, u konstatua në det përballë Ishujve të Ksamilit. Nga këqyrja e parë në vendngjarje dyshohet se ai kishte dalë për peshkim, ndërsa pranë zonës u gjet edhe mjeti lundrues me të cilin kishte dalë në det.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
