Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e qershorit të mbahet më 6 gusht, duke nisur nga ora 10:00.
“Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Haxhiu tha se është përgjegjësi e të gjitha partive parlamentare për themelimin e institucioneve të reja, duke shtuar se duhet të shmangen zgjedhjet e reja.
Afati i fundit kushtetues për seancën konstituive ishte 7 gushti.
Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje.
Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor – të tretat brenda një viti e gjysmë.
Caktimi i datës për seancën konstituive vjen në kohën kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.
Më 15 korrik, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ishte i detyruar që të pezullonte diskutimet me kreun e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pasi në LDK ka një nismë për shkarkimin e tij nga kreu i partisë.
Më 10 korrik, Kurti u takua ndarazi me Abdixhikun dhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Përderisa Hamza tha pas takimit se partia e tij do të mbetej në opozitë, Abdixhiku shprehu gatishmëri për vazhdimin e takimeve.
Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse.
Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
Partia e Kurtit, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për presidentin kërkohet një marrëveshje politike, pasi duhet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i ka 18 deputetë, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë në dy rundet e para të votimit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse Kosova mban sërish zgjedhje, atëherë ato do të ishin votimet e katërta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar.
