Ka përfunduar tragjikisht operacioni për kapjen e 35-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e ish-vjehrrit dhe plagosjen e ish-vjehrrës së tij në fshatin Vidhisht të Roskovecit.
Pas disa orësh negociatash me forcat RENEA, 35-vjeçari dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri brenda automjetit ku ishte ngujuar. Autoritetet kishin rrethuar zonën dhe po përpiqeshin ta bindnin të dorëzohej.
Ngjarja nisi rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur 35-vjeçari dyshohet se qëlloi me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, 58 vjeç, i cili humbi jetën. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe ish-vjehrra, rreth 55 vjeçe, e cila u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas sulmit, i dyshuari u largua me automjet, duke marrë me forcë edhe ish-partneren e tij. Gjatë operacionit, gruaja u lirua dhe iu dorëzua forcave të policisë.
Pavarësisht negociatave të zhvilluara për disa orë, 35-vjeçari refuzoi të dorëzohej. Sipas të dhënave paraprake, ai i dha fund jetës brenda automjetit. Lexo edhe https://tirananews.al/me-kane-marre-parate-nertil-buzi-kerkon-kohe-per-tu-dorezuar-dhe-kercenon-me-vetevrasje/
Policia dhe grupi hetimor vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave që çuan në krimin e rëndë. Informacionet mbeten paraprake dhe duhet të konfirmohen përfundimisht nga autoritetet.


