Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median britanike “Channel 4”, ku është ndalur te projekti në Zvërnec dhe protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në vend.
Rama theksoi se është e pamundur që Shqipëria të çojë përpara një projekt që nuk respekton standardet e Bashkimit Europian, duke e cilësuar absurd një pretendim të tillë në një kohë kur vendi është në proces negociatash për anëtarësim.
Sipas tij, projekti në Zvërnec nuk synon të dëmtojë zonën, por ta rigjenerojë atë, ndërsa bëri të ditur se në hartimin e tij janë përfshirë arkitektë dhe projektues peizazhi me reputacion ndërkombëtar, si edhe po kryhet një vlerësim i pavarur i ndikimit në mjedis.
“Janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë ne po bëjmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Pra, projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur. Synon ta rigjenerojë.
Është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar. Nuk mund të jetë ndryshe. Dhe, meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Prandaj vetë ideja se ne mund të ecim përpara me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet evropiane është absurde.
Unë po them vetëm këtë për këtë projekt, qetësohuni, flisni me fakte, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke thënë se gjithçka është katastrofike. Kushdo që e bën punën e tij me pasion e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Madje kjo më ka ndihmuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri komentoi edhe protestat e zhvilluara në vend, duke u ndalur veçanërisht te ato të muajit qershor, të cilat, sipas tij, përbëjnë një tregues të pjekurisë demokratike dhe një mundësi për reflektim.
“Për mua protestat e qershorit, jo kjo e tanishmja, kanë qenë njëkohësisht një konfirmim se vendi ka arritur në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë”, deklaroi kryeministri.
