Nga Ylli Manjani
Të thuash se harta e re e bashkive që propozon PS “nuk vlen”, është shumë pak për një parti si PD, e cila ka qeverisur këtë vend dhe ka qenë vetë autore e reformave të rëndësishme administrative. Kritika, sado e fortë qoftë, nuk mund të zëvendësojë alternativën.
Kam frikë se, edhe në këtë rast, PD nuk po arrin të dalë nga sindroma e “lulifikimit”. Pikërisht në momentin kur duhet të hyjë në proces me një projekt të vetin, të paraqesë vizion dhe të përballet me argumente, zgjedh të tërhiqet dhe ta braktisë debatin.
Harta që propozon PS mund të jetë e kritikueshme. Madje ka plot arsye për ta kundërshtuar. Por kritika, pa një model alternativ, mbetet e cunguar. Vetëm kur ekzistojnë dy vizione të ndryshme, qytetarët mund të gjykojnë se cili është më i drejtë dhe më funksional.
Në fund të fundit, një reformë territoriale nuk është thjesht çështje kufijsh në hartë. Ajo është një reformë administrative. Prandaj debati duhet të fillojë nga pyetjet thelbësore: çfarë funksionesh janë hequr apo shtuar nga bashkitë? Kush ti mbulojë ato që janë hequr dhe, si do financohen ato që janë shtuar? A ka më shumë apo më
pak autonomi financiare? A do e përmirson apo përkeqëson organizimi i ri shërbimet publike në territor? E lehtëson apo vështirson kjo reformë bashkinë e re të përthithë investime?!
Vetëm pasi t’u kemi dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ka kuptim të diskutojmë edhe efektet elektorale të ndarjes së re. Natyrisht, gerrymandering-u territorial është një nga fenomenet më të debatuara në demokracitë moderne dhe askush nuk mund ta shpërfillë këtë dimension. Por ai nuk është i vetmi dhe as më i rëndësishmi. Aq më tepër kur as PS dhe as PD nuk po flasin për një reformë të qarqeve, e cila do të kishte ndikim shumë më të drejtpërdrejtë mbi sistemin zgjedhor dhe përfaqësimin politik.
Argumentet për një debat serioz janë të shumta.
A mund të jetë kriter ndarje territoriale numri i banorëve, nuk kushtet kur kemi bashki me edhe 2000 edhe me 600 000 banorë? A mund të mbetet e pandryshuar harta territoriale kur popullsia është zhvendosur masivisht nga njëra zonë në tjetrën? A do të ishte e arsyeshme një rindarje e Bashkisë së Tiranës, për t’u dhënë banorëve të periferive një përfaqësim politik më të afërt dhe më efektiv? A duhet të kenë bashkitë më shumë apo më pak kompetenca? Cili është raporti i drejtë ndërmjet pushtetit vendor dhe qeverisë qendrore?
Këto pyetje marrin kuptim vetëm nëse përballë ekzistojnë alternativa të qarta. Të thuash se “kështu e do Edi Rama” nuk është më argument politik; është një slogan që nuk i ndihmon qytetarët të kuptojnë se cili është modeli tjetër. Ne duhet të dimë si e mendon PD organizimin territorial të Shqipërisë, që të kuptojmë pse modeli i propozuar nga PS është, sipas saj, i gabuar.
Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, mbetet një çështje standardesh demokratike. Komisioni i Venecias ka rekomanduar vazhdimisht që reforma territoriale dhe administrative të përfundojnë të paktën një vit përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të shmanget çdo arsye për përdorim politik.
Edhe sikur reforma të miratohej sot, tetë muajt e mbetur deri në zgjedhje, do të imponojnë një zbatim të sforcuar të saj, që mund të jetë shkak për ankesa, kontestime dhe ndotje të tjera politike të proçesit zgjedhor.
Prandaj, në vend të një debati me etiketime, kemi nevojë për një debat me harta mbi tavolinë. PS e ka paraqitur të sajën. Tani është radha e PD-së të paraqesë alternativën e vet. Vetëm atëherë do kemi mundësinë reale të zgjedhim jo mes një harte dhe një refuzimi, por mes dy vizioneve të ndryshme për organizimin e shtetit.
