Ish-presidenti i Perusë, Ollanta Humala, është liruar nga burgu pasi Gjykata Kushtetuese e vendit anuloi dënimin e tij me 15 vite burg për një çështje të lidhur me skandalin e madh të korrupsionit të kompanisë braziliane të ndërtimit Odebrecht.
Humala, 64 vjeç, po vuante dënimin në një qendër të posaçme paraburgimi në lindje të Limës, ku mbahen edhe disa ish-udhëheqës të tjerë peruan të dënuar për çështje të ndryshme. Ai dhe bashkëshortja e tij, Nadine Heredia, ishin shpallur fajtorë për pastrim parash, pasi akuzoheshin se kishin marrë financime të paligjshme nga kompania Odebrecht dhe nga qeveria venezueliane gjatë dy fushatave presidenciale.
Heredia, e cila gjithashtu u dënua në këtë çështje, më pas mori azil politik në Brazil. Në vendimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese thuhet se i gjithë procesi penal ndaj Humalës është shpallur i pavlefshëm. Gjykata argumentoi se ish-presidenti ishte dënuar për veprime që, në kohën kur u morën kontributet financiare për fushatat, nuk ishin të përcaktuara ligjërisht si vepër penale e pastrimit të parave.
Vendimi erdhi pas një kërkese habeas corpus të paraqitur nga mbrojtja e Humalës, e cila kërkonte rishikimin e ligjshmërisë së burgimit të tij. Gjykata e pranoi kërkesën duke e cilësuar atë si të bazuar. Avokati i ish-presidentit, Uilfredo Pedraza, tha se vendimi u prit me “kënaqësi të madhe” nga pala mbrojtëse.
Ollanta Humala, ish-ushtarak, drejtoi Perunë nga viti 2011 deri në vitin 2016 dhe ishte ish-presidenti i parë peruan që u përball me një proces gjyqësor për skandalin e korrupsionit të Odebrecht. Ky skandal ka prekur edhe disa ish-udhëheqës të tjerë të Perusë. Kompania Odebrecht, e cila tashmë njihet si Novonor, pranoi se kishte paguar miliona dollarë ryshfete për zyrtarë dhe liderë politikë në vende të ndryshme të Amerikës Latine për të siguruar kontrata të mëdha infrastrukturore.
Në vitin 2016, Odebrecht ra dakord të paguante rreth 3.5 miliardë dollarë gjoba pas hetimeve ndërkombëtare, ndërsa pranoi se kishte shpenzuar rreth 788 milionë dollarë për ryshfete në disa vende. Në Peru, kompania deklaroi se kishte paguar të paktën 29 milionë dollarë ryshfete për zyrtarë publikë gjatë periudhës 2005–2014.
Lirimi i Humalës hap një kapitull të ri në debatin mbi korrupsionin politik në Peru, ku disa ish-presidentë janë përfshirë në hetime dhe procese gjyqësore të lidhura me skandalin Odebrecht.
