Vatra e zjarrit në fshatin Riban, në Bashkinë Mallakastër, është përhapur ndjeshëm gjatë natës, duke marrë përmasa shqetësuese. Aktualisht, flakët paraqesin rrezik të lartë për t’u përhapur drejt masivit pyjor të fshatit Lofkënd.
Avioni zjarrfikës Air Tractor AT-802 Fire Boss me numrin operacional 833 i bashkohet operacionit për shuarjen e zjarrit ne Riban.
Ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve në Mallakastër rinisi sot në mëngjes pasi gjatë gjithë ditës së djeshme bashkë me forcat në terren u vunë në punë edhe helikopterët.
Por me këta të fundit nuk u arrit shuarja dhe vënia nën kontroll e vatrave të zjarrit përveçse u izolua zjarri që rrezikoi banesat.
Forcat operacionale janë përqendruar në dy drejtime kryesore, në Riban dhe Lofkënd, me qëllim izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.
Në terren ndodhen:
– 5 mjete zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova;
– 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës;
– 35 forca të Bashkisë;
– 2 autobotë uji;
– Gjithashtu, pritet t’u bashkohen operacionit edhe 35–40 trupa të Forcave të Armatosura.
Sipas autoriteteve, terreni i vështirë, lartësia e bimësisë së poshtme, shtrirja e madhe e zjarrit dhe intensiteti i flakëve po e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë ndërhyrjen vetëm me forcat tokësore.
Në këto kushte, autoritetet vlerësojnë si të domosdoshme ndërhyrjen nga ajri për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit drejt masivit pyjor të Lofkëndit.
