Një pjesë e raketës Falcon 9 të kompanisë SpaceX dyshohet se është përplasur me sipërfaqen e Hënës.
Bëhet fjalë për segmentin e sipërm të raketës, me peshë rreth 4 mijë kilogramë, i cili u shkëput në hapësirë sipas planit pas lëshimit vitin e kaluar. Megjithatë, ai përfundoi në një trajektore të paqëllimshme përplasjeje me Hënën.
Përplasja, e cila pritej të ndodhte rreth orës 07:35 BST, do të konfirmohet nga teleskopë të specializuar që po monitorojnë ngjarjen. Për shkak të distancës dhe kushteve të vëzhgimit, nuk ka pamje të drejtpërdrejta të momentit të goditjes.
Zëdhënësi i NASA-s, Jimi Russell, deklaroi se përplasja nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën. Ai shtoi se agjencia amerikane do ta shfrytëzojë ngjarjen për të mbledhur të dhëna mbi Hënën dhe për të përmirësuar teknikat e gjurmimit të objekteve në hapësirë.
Nga ana tjetër, astronomi Matt Bothwell paralajmëroi për rrezikun në rritje të mbetjeve hapësinore, objekte të krijuara nga njeriu që mbeten në orbitë.
“Brenda disa dekadash mund të bëhet shumë e vështirë të dalësh përtej orbitës së Tokës, sepse hapësira do të jetë tepër e mbushur me mbetje”, tha ai për BBC Breakfast.
