Porti i Durrësit ka shënuar rritje të lëvizjes së pasagjerëve gjatë vitit 2026, me qindra mijëra udhëtarë që kanë përdorur Terminalin e Trageteve për hyrje dhe dalje nga Shqipëria.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–korrik 2026, nëpërmjet Terminalit të Trageteve kanë udhëtuar gjithsej 349,423 pasagjerë.
Nga ky total, rreth 160 mijë pasagjerë janë nisur nga Porti i Durrësit drejt porteve të tjera, ndërsa afro 190 mijë të tjerë kanë hyrë në Shqipëri përmes këtij terminali.
Muaji korrik ka regjistruar fluksin më të lartë të kësaj periudhe, me 112,740 pasagjerë të përpunuar. Prej tyre, 83,315 kanë mbërritur në Shqipëri, ndërsa mbi 29 mijë kanë udhëtuar drejt destinacioneve jashtë vendit.
Krahasuar me korrikun e vitit 2025, kur u regjistruan 111,049 pasagjerë, këtë vit janë përpunuar rreth 1,700 udhëtarë më shumë, duke shënuar një rritje prej rreth 1.5 për qind.
Rritja e fluksit gjatë muajit korrik lidhet kryesisht me sezonin turistik veror, kthimin e emigrantëve dhe numrin në rritje të turistëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion pushimesh.
Për të përballuar kërkesën e shtuar gjatë sezonit veror, vijojnë lundrimet me frekuencë të shtuar drejt dhe nga portet italiane, me shërbime vajtje-ardhje dhe kapacitete më të mëdha për transportin e pasagjerëve.
