Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor parashikojnë masa më të ashpra ndaj shkelësve, me fokus të veçantë te drejtuesit që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur, personat pa leje drejtimi dhe shoferët e rinj.
Sipas rregullave të reja, nëse një drejtues automjeti kapet duke drejtuar mjetin me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak, pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, leja e drejtimit do t’i hiqet përgjithmonë, pa mundësi për ta rimarrë përmes autoshkollës. Kjo masë synon të largojë nga qarkullimi drejtuesit që konsiderohen me rrezik të lartë për sigurinë rrugore.
Ashpërsohen edhe masat për personat që drejtojnë automjetin pa patentë. Të rriturit që kapen në këtë shkelje, përveç gjobës, nuk do të kenë të drejtë të pajisen me leje drejtimi për një periudhë prej një viti.
Ndëshkim edhe më i rëndë parashikohet për të miturit. Nëse një i mitur kapet duke drejtuar automjet, ai nuk do të mund të pajiset me patentë sapo të mbushë moshën 18 vjeç, por do të duhet të presë edhe dy vite të tjera për t’u regjistruar në autoshkollë.
Ndryshimet prekin edhe drejtuesit e rinj. Për dy vitet e para pas marrjes së patentës, ata nuk do të lejohen të konsumojnë asnjë sasi alkooli gjatë drejtimit të automjetit. Gjithashtu, kufiri maksimal i shpejtësisë për ta do të jetë 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara.
Mosrespektimi i këtyre kufizimeve ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse gjatë kësaj periudhe dyvjeçare drejtuesi kryen dy shkelje brenda një viti, kufizimet do të zgjasin edhe një vit tjetër.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me pezullimin e lejes së drejtimit. Ndryshe nga praktika e deritanishme, drejtuesit me patentë shqiptare nuk do të kenë më mundësi ta shmangin pezullimin duke paguar dyfishin e vlerës së gjobës. Pezullimi do të zbatohet automatikisht.
Rriten gjithashtu gjobat për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara, pranë shkollave, si dhe për garat e paligjshme dhe manovrat e rrezikshme në rrugë. Gjobat, që deri tani varionin nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë, do të jenë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Masa më të forta parashikohen edhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit. Nëse një shofer kapet dy herë brenda një viti duke përdorur telefonin në timon, leja e drejtimit do t’i pezullohet për tre muaj.
Ndalimi i përdorimit të celularit nuk zbatohet vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për ata që përdorin biçikleta, motorë deri në 50 kubikë dhe monopatina.
