Një aksident i rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Levan-Tepelenë, pranë fshatit Rromës.
Dy automjete tip “Mercedes” janë përplasur me njëra-tjetrën, ndërsa si pasojë e përplasjes janë plagosur katër persona.
Të plagosurit janë një nënë së bashku me dy vajzat e saj, të cilat udhëtonin në njërin prej automjeteve, si dhe drejtuesi i mjetit tjetër.
Pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur autoambulancat, të cilat kanë transportuar të plagosurit drejt Spitalit Rajonal Fier. Ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Ndërkohë, po punohet edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë aks rrugor.
