Një super-jaht luksoz, me vlerë rreth 450 milionë euro, ka mbërritur në Portin e Durrësit, duke tërhequr vëmendjen për përmasat dhe vlerën e tij.
Jahti është ndërtuar nga një kompani gjermane në vitin 2026 dhe ka një gjatësi prej 134 metrash. Super-jahti është në pronësi të miliarderit kinez Richard Qiangdong Liu, i njohur edhe si Richard Liu.
Arsyeja e mbërritjes së jahtit në Durrës është furnizimi me karburant. Sipas burimeve nga Kapiteneria e Portit, M/Y Deep Blue pritet të furnizohet me rreth 300 mijë litra naftë.
Furnizimi pritet të sjellë edhe të ardhura për shtetin shqiptar përmes taksës së luksit.
Sipas të dhënave të Kapitenerisë, taksa llogaritet në 0.4 euro për çdo litër karburant. Nëse furnizimi kryhet në sasinë e parashikuar, të ardhurat për shtetin nga kjo taksë pritet të jenë rreth 120 mijë euro.
