Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria është renditur e para në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë, duke e cilësuar rezultatin si një sukses historik në fushën e sigurisë kibernetike.
Në një reagim të gjatë, Rama e lidh këtë arritje me sulmin kibernetik të korrikut 2022, kur infrastruktura digjitale shqiptare u godit nga një sulm i atribuar regjimit iranian.
Sipas Ramës, pas sulmit Shqipëria nisi ndërtimin e një arkitekture të re të mbrojtjes kibernetike dhe forcimin e kapaciteteve profesionale. Ai thekson se vendi u ngjit nga vendi i 54-t në vitin 2023, në vendin e 15-të në vitin 2025, përpara se të arrinte sot në krye të klasifikimit botëror.
Rama thotë se ky progres është bërë edhe në bashkëpunim me partnerët izraelitë dhe përmes zhvillimit të teknologjive të reja, përfshirë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në sistemet e mbrojtjes kibernetike.
Kryeministri deklaron se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë kanë vijuar, por sipas tij ato kanë dështuar për shkak të forcimit të sistemit mbrojtës.
Rama e cilëson këtë arritje si dëshmi të fuqisë së teknologjisë dhe të aleancave ndërkombëtare, ndërsa paralajmëron se puna do të vijojë për zgjerimin e mbrojtjes kibernetike edhe në sektorin privat.

