Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se do t’i “shterojë ujin” Kosovës, duke i cilësuar ato si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Berisha i ka konsideruar deklaratat një sinjal alarmi për Kosovën dhe të gjithë rajonin, ndërsa e ka cilësuar qëndrimin e presidentit serb si një “kërcënim të hapur çnjerëzor me frymëzim mitologjik”.
Kryetari i PD-së akuzon Vuçiçin për një politikë të nxitur nga urrejtja ndaj shqiptarëve dhe paralajmëron se deklarata të tilla përbëjnë një rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Do t’ju shterojë ujin! Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, Vuçiçi është i aftë të planifikojë përdorimin e etjes si “armë genocidale” ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
“Partia Demokratike dënon me forcë një kërcënim të tillë si akt destabilizues për paqen dhe stabilitetin në rajon”, përfundon Berisha.
