Gjykatat në Angli dhe Uells kanë ndaluar përdorimin e syzeve inteligjente Meta, për shkak të shqetësimeve mbi mundësinë e regjistrimit të fshehtë të pamjeve dhe videove.
Shërbimi i Gjykatave dhe Tribunaleve të Madhërisë së Tij (HMCTS) ka njoftuar se personave që tentojnë të hyjnë në ambientet e gjykatave me këto syze do t’u konfiskohen përkohësisht dhe do t’u kthehen vetëm pas largimit nga ndërtesa.
Vendimi lidhet me rregullat që ndalojnë marrjen e fotografive apo videove brenda gjykatave pa autorizim zyrtar. Shkelja e këtyre rregullave mund të konsiderohet shpërfillje e gjykatës dhe të sjellë pasoja ligjore.
Masa e autoriteteve britanike vjen pas një vendimi të ngjashëm të gjykatave në New York, të cilat muajin e kaluar ndaluan përdorimin e syzeve Meta në ambientet e tyre.
Syzet mund të regjistrojnë video gjatë përdorimit, duke ngritur shqetësime për privatësinë dhe sigurinë.
