Zbardhen rrethanat e konfliktit të ndodhur rreth mesnatës së 11 gushtit në rrugën “Gjolekë Kokona” në Tiranë, ku u qëllua edhe me armë zjarri.
Pas njoftimit për konfliktin mes disa shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 shkuan në vendngjarje dhe nisën hetimet për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e rrethanave.
Në kuadër të operacionit të koduar “Situata”, policia ka arrestuar katër persona: R. Z., 28 vjeç, K. K., 31 vjeç, S. F., 24 vjeç dhe R. F., 34 vjeç, për vepra të ndryshme penale, përfshirë përkrahjen e autorit, moskallëzimin e krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Gjithashtu, katër persona të tjerë të përfshirë në konflikt janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në kërkim janë shpallur F. F., 32 vjeç, i dyshuar për “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Në kërkim është shpallur edhe C. B., 32 vjeç, për “Moskallëzim të krimit” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti nisi pasi R. F. ka fyer një të mitur. Pas kësaj, 17-vjeçari dhe miqtë e tij janë konfliktuar fizikisht me R. F., vëllain e tij S. F. dhe persona të tjerë.
Më pas, i mituri dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së vëllezërve. Sipas policisë, nga banesa dyshohet se F. F. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve, pa plagosur apo dëmtuar persona.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
