Ylli Zalla, një person i shumëkërkuar nga Policia e Shtetit, është arrestuar në Krujë në kuadër të një operacioni policor.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ka përgëzuar strukturat e Policisë së Shtetit për përfundimin me sukses të operacionit.
Operacioni, i koduar “Fundi i Arratisë”, u zhvillua në Krujë dhe në të morën pjesë Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Sipas Lamallarit, Zalla konsiderohej person shumë i kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa i ishte shmangur drejtësisë.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor ‘Fundi i Arratisë’, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, shkroi ministri i Brendshëm.
Ai shtoi se gjatë operacionit të zhvilluar në Krujë, Ylli Zalla u kap dhe tashmë ndodhet në arrest nga Policia e Shtetit.
