Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari francez Miguel Mendes. Sipas të dhënave të publikuara, i riu dyshohet se është goditur disa herë me thikë gjatë një konflikti.
Sipas mjekut që ka parë trupin në morgun e Sarandës, 20-vjeçari kishte plagë të shkaktuara nga goditjet me thikë në shpinë dhe në kraharor. Vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar të ngjarjes 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has. Ai dyshohet se është larguar menjëherë pas konfliktit dhe vijon të jetë në kërkim nga uniformat blu.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka nisur për motive të dobëta, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet është se përplasja mes dy të rinjve mund të ketë ardhur për shkak të një femre. Kjo pistë mbetet pjesë e hetimeve dhe pritet të sqarohet nga autoritetet.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15, kur Miguel Mendes u gjet pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, përpara një lokali në Ksamil. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
